Mirëpritëm dje në ambientet e Sallës së Konferencave “Hysni Aruçi”, pjesëmarrësit e projektit “Engine” nga universitetet e Ghent Belgjike, Kadir Has University of Turkey, Catolic University Leuven Belgjikë, National and Kapodistrian University of Athens , UPT, KPT, UET, Albenecon, Technical University of Sofia dhe Universiteti “Aleksandër Moisiu”.
Përfaqësuesit akademikë u priten nga Drejtori i Qendrës së Ekselencës për Çështjet Detare (CEMA), z. Endrit Pollo, i cili bëri një prezantim te portit, të aktivitetit të CEMA si dhe bashkëpunimit me UAMD.
Në fokus të vizitës ishte njohja me iniciativat dhe objektivat e CEMA-s si një qendër rajonale e cila ka për qëllim rritjen e kapaciteteve profesionale dhe ekspertizës në aspekte të logjistikës, infrastrukturës dhe të drejtës detare me synim zhvillimin e projekteve dhe iniciativave inovative dhe të qendrueshme në industrinë detare, me të cilat i prezantoi më gjerësisht z.Endrit Pollo, Drejtori i Qendrës së Ekselencës për Çështje Detare (CEMA).
Në vijim të këtij takimi, Dekani i Fakultetit të Studimeve Profesionale pranë UAMD, Prof.Dr. Osman Metalla, parashtroi mundësitë e bashkëpunimit në kuadër të projekt propozimit mbi “Përdorimin e energjisë së rinovueshme në sektorin detar”, një iniciative e përbashkët e Autoritetit Portual Durrës, Universitetit “Aleksandër Moisiu Durrës” dhe AKKSHI, e cila ka në thelb zhvillimin e qendrueshëm të detarisë shqiptare si një instrument kyç në zhvillimin ekonomik dhe të politikave mjedisore në transportin detar rajonal.
Gjatë vizitës u nënvizua rëndësia e bashkëpunimit dhe ndërveprimit me botën akademike dhe aktorët e sipërmarrjes shqiptare në funksion të jetësimit të projekteve të cilat mbështesin ekonominë dhe industrinë detare në vend dhe rajon. Partnerët e projektit shprehën interes të veçantë për mundësitë e bashkëpunimit me Qendrën e Ekselencës për Çështjet Detare në projekte me interes të përbashkët si dhe vlerësuan kontributin e deritanishëm që ajo ka dhënë në këtë drejtim.