Mirëmenaxhimi, ulja e shpenzimeve dhe efikasiteti i shfrytëzimit të sipërfaqeve portuale, janë disa prej indikatorëve që kanë ndikuar në qendrueshmërinë ekonomiko-financiare të Autoritetit Portual Durrës gjatë periudhës janar-shtator 2023.
Referuar raportit ekonomiko financiar, Divizioni i Financës dhe Marrëdhënieve Tregtare thekson se për muajin shtator kemi tejkalim të realizmit të planit të të ardhurave me 12%, kjo si rezultat i rritjes së volumeve të përpunimit të konteinerëve dhe auto konteinerëve, impakt i cili është reflektuar dhe në totalin e periudhës 9 mujore me 3% rritje.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, të ardhurat për muajin shtator janë realizuar 21% më shumë, ndërsa për periudhën Janar-Shtator 2023 të ardhurat rezultojnë 6% më të larta.
243 anijet tregtare të akostuara në terminalet portuale kanë transportuar afro 2.7 milionë tonë mallra gjenerale, rifuxhio dhe me konteinerë.
Terminali i Konteinerëve ka patur ecurinë më pozitive, duke përpunuar 30% më shumë njësi konteinerike ose 21 % më shumë mallra fizike se janar-shtatori i 2022.
Pozitive ka qënë ecuria për sektorin e udhëtarëve të cilët kanë zgjedhur transportin detar për të hyrë apo dalë nga vendi ynë, ku sipas të dhënave zyrtare janë regjistruar 700,250 pasagjerë ose 5% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të shkuar.