Reparti i PMNZSH-së në portin e Durrësit, gjatë periudhës janar-tetor 2021, ka kryer një sërë misionesh në mbështetje të komunitetit, më e theksuar kjo gjatë periudhës së sezonit veror kur ka patur më shumë nevojë për shërbime emergjence civile.
Nga të dhënat e këtij Reparti, gjatë 10 muajve dy mjetet si dhe personeli zjarrfikës i APD-së, kanë punuar mbi 570 orë për zgjidhjen e emergjencave civile si zjarre, pastrime, dezinfektime dhe aksidente, si dhe dy pompat thithëse të repartit që janë shfrytëzuar në rastet e përmbytjeve në territorin e qarkut.
Reparti i Policisë së Mbrojtjes Nga Zjarri dhe Shpëtimit (PMNZSH), pranë Autoritetit Portual Durrës, përveç veprimtarisë kryesore brenda territorit portual, ka marrë pjesë gjatë këtij viti edhe në operacionet e shpëtimit dhe mbrojtjes kundër zjarreve në hapësirën e qarkut të Durrësit.
Në zbatim të legjislacionit përkatës dhe në mbështetje të kolegëve të reparteve të Durrësit, Shijakut dhe Krujës, zjarrfikësit dhe mjetet e specializuara të APD-së kanë dhënë kontributin e tyre në shumë operacione shpëtimi.
Struktura e PMNZSH-së në portin e Durrësit, funksionon si një nga repartet e ngritura pranë objekteve të rëndësisë së veçantë në shkallë vendi, ndërsa prioritet mbetet zhvillimi infrastrutkturës dhe logjistikës që është pjesë e rëndësishme e plan-biznesit për vitet e ardhshme.