Profil/ Tod Muka, kapidani që i ndërprenë lundrimin (1924 – 2012) 25 qershor 2020

Në Durrës të gjithë e thërrasin “kapidan Todi”, pasi më shumë se 35 vjet të jetës së tij i ka kaluar në komandën e anijeve të flotës sonë tregtare.

Por historia e detarit të shquar durrsak është e ndryshme nga ajo e shumë të tjerëve. Bashkë me vështirësitë e panumërta gjatë punës në det dhe  largimeve të gjata nga mjedisi familjar atij i është dashur të përballet edhe me marrëzitë e kohës që lamë pas. Kjo duket se nuk ka kaluar pa pasoja në shpirtin e trazuar të detarit veteran.

Që nga viti 1983, kur drejtuesit e partisë e larguan padrejtësisht nga porti detar, kapidan Todi nuk ka lundruar më asnjëherë, qoftë edhe si udhëtar i zakonshëm.

Çfarë ka ndodhur 3 dekada më parë me njeriun e dashuruar me detin, i cili kishte komanduar nga anijet prej druri të tonazhit të vogël deri te vapori 12 mijë tonësh “Vlora”?

Si është e mundur që askush nuk ka patur kurajon ti kërkojë ndjesë për fajin që i ngarkuan, në kohën kur ai prej gati dy muajsh nuk ndodhej fare në anije?

40 vjet në det

Kapidan Todi tregon pa fund për detin, detarët, lundrimet e gjata. Flet ngadalë pasi mosha nuk është më ajo e para, siç i pëlqen të thotë, por Dashamir Janina, një nga detarët që ka punuar pranë tij, herë pas here ia ngacmon kujtesën.

Në banesën që ndodhet pranë parkut sportiv të Durrësit ka dalë të na presë Veronika, bashkëshortja dhe shoqja e tij e jetës.

Teodor Muka ka nisur të punojë në anije menjëherë pas çlirimit të vendit. “Kam qenë me fat, pasi kapiteni im i parë ishte ulqinak, Mehmet Kotorri e quanin-tregon kapidani. Prej tij kam mësuar shumë për detin, dhe plot të tjera mi ka mësuar kapiteni i portit, Ndoc Gjeluci, i cili organizonte kurset e para për detarët dhe për drejtuesit”.

Në vitin 1947 Todi Mukës i besojnë drejtimin e njërës prej katër anijeve të vogla, që kryenin transporte në portet e afërta.

“Ishte një “tarabakul”, anije prej druri me bash të gjërë dhe që mbartte 300 ton gjithsej-kujton ai anijen me emrin “Qemal Stafa”.

Pas saj Tod Muka ka komanduar mjaft anije tregtare, nga “Teuta” te “Butrinti”, nga “Liria” te “Durrësi” e deri te “Vlora”, anija e parë transoqeanike.

“Përveç Mesdheut e Detit të Zi nisëm të lundrojnë në Atlantik, drejt porteve të Polonisë, Gjermanisë e Suedisë. Ngarkonim pajisje të ndryshme, të cilat shfrytëzoheshin për ndërtimin e fabrikave apo termocentraleve. Mbaj mend që në Troleburg (Suedi) kemi ngarkuar automakineri që përdoreshin për hapjen e tuneleve – thotë ai.

Lundrohej më shumë se 3200 milje për të mbërritur në Shçeçin, Gdansk apo në Gdinia të Polonisë.

Nuk ishte punë e lehtë.

Lundrimet vazhdonin disa javë dhe një kapiten i mirë nuk ka përgjegjësi vetëm për mjetin dhe ngarkesën, por edhe për marinarët që drejton. 

“Në dy raste marinarët janë operuar në spitalet e porteve ku shkonim, pasi sëmundjet ishin të rënda dhe akute-kujton kapidani.

Lundrimet që zgjasnin nga 12-13 ditë kishin mjaft të papritura.

Megjithë vitet që ka mbi shpinë kapidani kujton edhe emrat e anijeve që shërbenin si fenerë në Detin e Veriut, si “Varne”, “Nordkinder” apo “Guerre”, gjatë rrugës për në portet e Suedisë.

“Kapidan Todi ishte “babai” i anijes “Liria”-ndërhyn Dashamir Janina. Ai ka shërbyer për 17 vjet radhazi si kapiten i anijes dhe në asnjë rast, njëlloj si me anijet e tjera tregtare nën komandën e tij nuk ka ndodhur asnjë aksident detar.

Edhe atëherë kur në hambarët e anijes kishte ngarkesa të rrezikshhme, të cilat duheshin sjellë nga portet e veriut drejt Durrësit. “Një arkë me eksploziv, që doli mangut gjatë ngarkimit në Poloni vuri në alarm, jo vetëm ambasadat, por edhe qeveritë e të dy vendeve-kujton kapidani.

“Albania-Alemania”, klandestini arab që shkarkoi furtunën

Një arab 13-vjeçar në vitin 1983 u bë shkak që kapidan Todi të mos lundronte më kurrë. Burri që kishte drejtuar nëpër dete edhe anije me 45 marinarë në bord u përjashtua nga Flota Tregtare, ndërsa drejtuesit e partisë në rreth kërkuan që ai të largohej edhe nga porti.

Por kapidani, në atë kohë 58-vjeçar, nuk kishte asnjë lidhje me këtë histori. “Anija “Durrësi”, një 5-mijë tonëshe, të cilën e komandoja prej disa kohësh kreu një udhëtim në Algjeri, ndërsa unë përveçse isha i sëmurë me raport kisha filluar edhe lejen e zakonshme, pushimet vjetore prej 45 ditësh që na jepeshin ne detarëve-thotë kapidani, duke u rikthyer te ngjarja e gati 30 viteve më parë.

Në fakt të gjithë historinë edhe ai e ka mësuar disa orë pasi ngjarja e portit bëri bujë edhe në qytetin e Durrësit.

Çfarë kishte ndodhur?

Në portin e Algjerit, djaloshi arab ishte fshehur si klandestin në hambarët e ngarkuar me fosfat dhe gjatë tre ditëve të lundrimit nuk kishte lëvizur nga vendi. Askush në anijen “Durrësi” nuk e kishte parë 13-vjeçarin, përveçse kur mjeti lundrues ishte ankoruar në portin shqiptar.

Algjeriani i vogël që kishte kujtuar se mbërriti në Gjermani, duke ngatërruar “Albania” me “Alemanja” është kapur sapo ka vënë këmbët në tokë, pa e ditur se kthimi në atdheun e tij nga autoritetet shqiptare do të dukej asgjë para asaj që pësoi mes të tjerash edhe një nje njeri, kapidani Todi Muka, i cili prej disa javësh nuk ndodhej në anije.

Teodor Muka u akuzua se “nuk kishte bërë sa duhet për edukimin e detarëve të anijes që ai zyrtarisht drejtonte”.

Një ditë pas mbledhjes në Byronë e partisë së rrethit,kapidani filloi punë si punëtor në ndërmarrjen e UEM-it. Ishte shpallur i padëshëruar edhe për ndërmarrjet portuale. Askush nuk e dëgjoi zërin e tij.

“Njerëzit në rrugë më flisnin me përzëmërsi, sepse e kuptonin që nuk kisha asnjë lidhje me historinë e klandestinit, por sidoqoftë shqetësimi im dhe i familjes ishte i madh-tregon Tod Muka.

Kapidani kujton me keqardhje se edhe kur doli në pension askush nga drejtuesit e Flotës tregtare nuk erdhi për ti uruar pleqëri të mbarë. Erdhën për të trokitur gotën me të vetëm një grup punëtorësh të Kanterit detar, mes të cilëve punoi për 14 muaj, atëherë kur drejtuesit durrsakë të kësaj ndërmarrjeje e tërhoqën nga UEM-i.

Lundrimi i fundit

Kapidan Todi nuk u kthye më në det. “Për vite me radhe u kujdes për nipat, Tonin dhe Xhenin, djemtë e Vasilit-tregon Nika, bashkëshortja, e cila i ka qëndruar gjithnjë pranë. Edhe atëherë kur në netët e ndërrimit të viteve ai ndodhej në lundrim, apo kur drejtuesit e flotës vendosnin ta largonin anijen në radë me rastet e festave.

“Kur doli në pension i merrte djemtë e vegjël dhe shkonin së bashku me biçikletë në plazh-vijon tregimin e saj Nika, pa e fshehur brengën që bart i shoqi prej gati tre dekadash.

Tani që po i drejtohet të 90-tave Elsa, vajza e tij e shëtit kapidan Todi Mukën edhe në bregdet. Bashkëqytetarët, shokët dhe miqtë e përshëndesin njëlloj si dikur kapidanin durrsak. Por askush nuk ka arritur ta bindë të lundrojë. 

-2011 – Portret për detarin e shquar pak kohë para se të ndërronte jetë

Nga Zëdhënësi i APD-së, Gëzim Kabashi