Projekti ADB Multiplatform, nënshkruhet Marrëveshja e Mirkuptimit mes partnerëve 1 dhjetor 2014

Më 27 dhe 28 nëntor në Bari (Itali) u zhvillua Konferenca përmbyllëse e Projektit ADB Multiplatform.

Autoriteti Portual i Durrësit u përfaqësua në Konferencë nga një delegacion në përbërje të të cilit ishin kryetari i Këshillit drejtues të APD, Gentian Beqiri, nënkryetari i Këshillit drejtues, Frederik Seiti, zv. Drejtori i përgjithshëm ekzekutiv, Artjan Qirici, drejtori i sektorit të projekteve dhe promocionit, Arben Xhemali dhe përgjegjësja e sektorit të projekteve, Mirela Shani.

Nënshkrimi i Memorandumit të Mirkuptimit (MoU) nga të gjithë partnerët e përfshirë në projekt ishte një nga arritjet e rëndësishme të Konferencës.

Në ceremoninë e organizuar në Bari, z. Artjan Qirici dorëzoi Memorandumin e firmosur nga Drejtori I përgjithshm Ekzekutiv, Selim Belortaja në emër të Autoritetit portual të Durrësit.

Memorandumi i Mirkuptimit mundëson monitorimin e Koridoreve të lëvizjes në vendet e Evropës juglindore nga Autoritetet përkatëse, duke evidentuar pikat e dobëta si dhe vendimmarrjen e duhur.

Memorandumi parashikon marrëveshjen që transporti të mos dëmtojë mjedisin, ndërsa zbatohet parimi që ndotësi duhet të paguajë, pa e dëmtuar veprimtarinë prodhuese. MoU synon të sigurojë një transport eficient pa ndotje, duke ulur kostot e jashtme dhe pa i rritur kostot e transportit.

Tematika kryesore e Konferencës përmbyllëse ishte harmonizimi i procedurave legjislative/administrative dhe të IT për transportin në koridoret e lëvizjes në vendet e Europës juglindore të përfshira në projekt. Përdorimi i transportit alternativ në koridoret e lëvizjes së ngarkesave dhe sigurimi i transportit multimodal përbën edhe qëllimin dhe impaktin kryesor të projektit.

Zvogëlimi i kostove të jashtme, pa i rritur kostot e transportit, si dhe ngritja e qendrave të trajnimit për zhvillimin e njohurive dhe metodikave të përbashkëta për transortin përgjatë koridoreve të lëvizjes në vendet e Evropës Juglindore ishte një tjetër problematikë e trajtuar në konferencën përmbyllëse.

Praktikat e njehsuara doganore, që lejojnë nisjen e procedurave gjatë udhëtimit, për të siguruar një lëvizje më fluide të ngarkesave u diskutuan në kuadër të lëvizjes së ngarkesave në territoret e Evropës juglindore dhe të BE.

Në Projektin që sapo përfundoi ku APD ishte partner që prej dy vjetësh janë përfshirë edhe 14 institucione dhe kompani nga 10 vende të rajonit te Europes Juglindore. Partneri Lider i Projektit është Rajoni i Friuli Venecia Xhulias në Itali.