Mikpritëm dje përfaqësuesit e projektit “Blue Economy” nga Mali i Zi dhe Italia, për një vizitë studimore në Portin e Durrësit, kryesuar nga Zj.Klotilda Binjaku, Menaxhere e Projektit në Unionin e Dhomave të Industrisë dhe Tregtisë dhe Z.Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA).
Pas vizitës në Terminalin Perëndimor, ku u njohën nga afër kapacitetet përpunuese dhe natyrën e operacioneve në kalatat e këtij terminali, takimi vijoi në Sallën e Konferencave në APD.
Kreu Ekzekutiv i APD-së, z.Pirro Vengu, fillimisht i njohu të pranishmit me kapacitetet operacionale në katër terminalet e Portit më të madh në vend dhe më pas me dy projektet madhore të Qeverisë shqiptare, të cilat janë aktualisht në fazë implementimi: ndërtimi i portit tregtar të Durrësit në Porto-Romano dhe ndërtimi i Marinës së re turistike në portin aktual, investime këto të cilat shkojnë në kohezion me objektivat e projektit “Blue Economy”.
Z. Vengu gjithashtu nënvizoi se; APD-ja aktualisht është angazhuar maksimalisht në mbështetje të Qendrës së Ekselencës për Çështjet Detare (CEMA), iniciativë e Portit të Durrësit dhe MIE në bashkëpunim me Sekretariantin e Transportit, Universitetin e Durrësit, CDI, në funksion të rritjes së kapaciteteve profesionale dhe ekspertizës në aspekte të logjistikës, infrastrukturës dhe të drejtës detare, duke synuar që të garantojmë kualifikimin e ekspertëve tanë të ardhshëm dhe zhvillimin e qendrueshëm të detarisë shqiptare.
Në fjalën e saj, Zj. Binjaku theksoi se APD ka një rol të rëndësishëm në realizimin e synimeve dhe objektivave të Projektit “Blue Economy”, si një instrument kyç i cili ka kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin ekonomik dhe të politikave mjedisore në transportin detar rajonal. Duke theksuar se bashkëpunimet ndërinstitucionale dhe ndërveprimi me aktorë të tjerë si bota akademike dhe sipërmarrja shqiptare, mundësojnë jetësimin e projekteve të cilat mbështesin ekonominë dhe industrinë detare në vend dhe rajon. Partnerët e projektit shprehën interes të veçantë për mundësitë e bashkëpunimit me Qendren e Ekselencës për Çështjet Detare në projekte europiane me interes të përbashkët.