“A e dini se….”
A e dini se kujt vendi i përket dhe çfarë nënkupton flamuri i shpalosur në këtë anije tregtare?
A ju ka lindur ndonjëhere pyetja se cila është historia që qëndron pas flamurit detar dhe përdorimit të tyre në transportin detar?
Në rastin konkret bëhet fjalë për flamurin e Sierra Leones, e vendosur në anijen tregtare “Ibla” që ka hyrë në Portin e Durrësit në datën 2 korrik dhe prej saj janë shkarkuar rreth 4,560 tonë çimento të bardhë.
Por çfarë përfaqësojnë flamujt e vendosur në anije?
Flamujt detarë janë një mjet komunikimi i njohur ndërkombëtarisht i cili përdoret nga anija në anije gjatë kohës që ndodhen në lundrim për të shkëmbyer mesazhe të shkurtra, shpesh të përdorura individualisht ose në kombinim të cilat përcjellin kuptime të veçanta.
Për raste ceremoniale dhe festive, anijet mund të vishen me flamuj të sinjalit detar, të shpalosur në mënyra të ndryshme në varësi të ceremonisë. Mjetet lundruese rekreative gjithashtu përdorin flamuj detarë të anijeve si dhe flamuj të “Kodit të Sinjaleve” për tu vetë identifikuar por edhe për të komunikuar me anijet e tjera.
Flamujt detarë u përdorën fillimisht për komunikime gjatë përballjeve ushtarake. Ajo që filloi si një sistem i kufizuar komunikimi evoluoi ndër shekuj në një sistem sinjalizues gjithëpërfshirës, të njohur ndërkombëtarisht, funksional si për qëllime ushtarake dhe jo ushtarake.
Flamujt ndërkombëtarë sinjalizues mund të përdoren vetëm ose në kombinim me njëri-tjetrin për të dërguar mesazhe, ndërsa flamujt detarë të anijes ndajnë informacione të tjera në lidhje me një anije siç është origjina e anijes apo qëllimi për të cilin ajo është në lundrim.