Portet, sfidat dhe perspektiva, ishin në fokus të Konferencës dy ditore të zhvilluar në Portoz të Sllovenisë, organizuar nga zyra e Atasheut Doganor Francez me seli në Beograd.
Pjesëmarrës në të ishin përfaqësues të doganës franceze, Le Havre dhe Marseille, Drejtorisë së Agjencisë së Inteligjencës Doganore Franceze, përfaqësues të UNODC , përfaqësues nga Organizata Botërore e Doganave, organeve ligjzbatuese të Sllovenisë, përfaqësues të zyrave doganore e të sigurisë së porteve të Ballkanit si Shqipëria, Mali i Zi, Kroacia dhe Sllovenia si dhe përfaqësues të kompanive konteinerike që operojnë në portet e Adriatikut.
Konferenca u organizua në 2 workshope, me fokus kërcënimet në portet e Adriatikut dhe sfidat e sigurisë portuale.
Përfaqësues nga vendi ynë ishin Drejtori i Antitrafikut në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, Z. Helidon Bele, Drejtori i Sigurisë Portuale Durrës, Kapiten I Rangut III-të (R), z. Alfred VELAJ, të cilët referuan në konferencë perspektivën shqiptare të luftës kundër trafiqeve të paligjshme në fushën e doganave dhe sfidat e kërcënimeve portuale në Portin e Durrësit.
Tematikat e trajtuara nga ekspertët pjesëmarrës u fokusuan në nevojat për përmirësim të bashkëpunimit ndërmjet porteve të Adriatikut, shkëmbimin e informacionit, lidhjen e kontakteve midis zyrave të sigurisë dhe perspektivën ndërkombëtare ndaj parandalimit të krimeve në porte.