Mirënjohje për kontributin e vyer ndër vite (1957-2021)
Mirëmbajtja e sigurisë teknike nëpërmjet dritave lundruese brenda ujërave territoriale shqiptarë në pajtim me standardet e miratuara ndërkombëtarisht është një ndër misionet kryesore të Shërbimit Hidrografik Shqiptar, i cili sot shënon 64 vite nga krijimi i tij. Nga dita e krimit të këtij institucioni të rëndësishëm në detari (25 shtator 1957) Shërbimi Hidrografik ka shënuar një zhvillim të madh në aspektet e modernizimit dhe të bashkëpunimit me institucionet e tjera brenda dhe jashtë vendit. Mjetet lundruese në ujërat tanë territorialë, janë në “lupën” monitoruese të HSH, i cili pjesë të misionit ka po ashtu ofrimin e shërbimeve dhe produkte lundrimore, hidrografike dhe oqeanografike.
Sot, Shërbimi Hidrografik në bashkëpunim me Institutin e Gjeografisë dhe Infrastrukturës Ushtarake prodhon harta detare me standarde ndërkombëtare, që ju vijnë në ndihmë lundërtarëve në formë elektronike, shërbim ky që ofrohet në bashkëpunim me Kompaninë Norvegjeze “Primar”, lider në këtë fushë dhe mbulon rreth 90% të tregut të hartave detare elektronike.
Zhvillimi i sektorit turistik në brigjet adriatike-joniane, që gjithnjë e më shumë po tërheq anijet turistike, kërkon mbështetjen e lundërtarëve me Shërbime Hidrografike, për të garantuar siguri lundrimore, nëpërmjet hartave detare dhe sistemi i sinjalistikës lundrimore.
Që nga viti 2018 në bregdetin shqiptar janë montuar katër sisteme moderne për monitorimin e baticë-zbaticës, të cilët kanë një rol kyç në pasqyrimin e të dhënave të sakta në prodhimin e hartave detare. Në vijim të modernizimit të mëtejshëm të këtij sektori të rëndësishëm të detarisë shqiptare është dhe kompletimi i këtij shërbimi me një anije të re Hidrografike; prodhimi i një harte të posaçme në gjirin e Porto Romano-s, e cila prodhohet për herë të parë, si dhe përditësimi i hartës për portet e Durrësit dhe Vlorës dhe Sarandës.