Siguria Kibernetike në fokus të trajnimeve të stafit të APD/ 19 qershor 2023

Përfundoi me sukses programi disa ditor i trajnimit për reagimin ndaj incidenteve kibernetike (CIR), pjesë e të cilit ishin edhe ekspertët e IT-së të Autoritetit Portual Durrës. Ky program është një nismë e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillimin Ndërkombëtar (USAID), AKCESK dhe Programit të Tranzicionit të Sigurt të Energjisë (JSET), e cila përbëhet nga një kurrikul e konceptuar për të mbështetur operatorët energjitikë dhe Qeverinë Shqiptare në funksion të zhvillimit të aftësive, masave dhe rivendosjes së sigurt të sistemeve për frenimin efikas të sulmeve kibernetike.

Nëpërmjet programit synohet jo vetëm një përvojë praktike gjithëpërfshirëse mbi kontrollin dhe kundërpërgjigjen ndaj incidenteve kibernetike(CIR) por gjithashtu edhe fuqizimin e operatorëve në përdorimin e mjeteve dhe burimeve të dispunueshme si dhe krijimin e proceseve teknike të parandalimit dhe reagimit ndaj sulmeve të forta kibernetike.

Përmirësimi i aftësive, trajtimi i incidenteve dhe rritja e efektivitetit të menaxhimit të rriskut kibernetik zenë një vend thelbësor në objektivat dhe politikat e institucionit, tashmë edhe nën dritën e projekteve të reja të infrastrukturës detare të Qeverisë Shqiptare të cilat synojnë ta kthejnë kompleksin e ri portual Durrës-Porto Romano në një qendër logjistike rajonale sa më të mbrojtur dhe të qendrueshme në aspektin kibernetik.

Si një institucion i rëndësisë së veçantë Porti i Durrës ka bashkërenduar përpjekjet me iniciativat e partnerëve të rajonit dhe ata europianë për forcimin e qendrueshmërisë së hapësirës kibernetike portuale, me qëllim rritjen e vigjiliencës së sigurisë kibernetike duke mbështetur kualifikimet profesionale dhe ekspertizën në sektorin e IT-së.