Gjatë muajit maj 2021, transporti detar me tragete, ndikuar dukshëm edhe nga lehtësimi i masave parandaluese ndaj Covid 19, ka shfaqur një rritje të ndjeshme në numrin e lundrimeve të kryera dhe në veçanti, në atë të pasagjerëve të cilët kanë udhëtuar me tragete nga/drejt Portit të Durrësit.
Referuar të dhënave statistikore pranë APD, mësohet se gjatë muajit maj 2021, tragetet kanë kryer gjithsej 76 lundrime nga Porti i Durrësit drejt brigjeve italiane me tragetet e linjave Durrës-Bari,Durrës-Ancona dhe anasjelltas. Një rritje e konsiderueshme është konstatuar edhe në statistikat e volumeve të udhëtarëve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës ku vërehet se vetëm gjatë majit 2021 kanë shfrytëzuar lundrimin me tragete rreth 30.857 pasagjerë, një shifër rreth 6 herë më e lartë krahas shifrave të majit 2020.
Që nga fillimi i vitit, transporti i trageteve ka shfaqur indikatorë shumë pozitivë në raport me volumet e përpunimit nëpërmjet rritjes graduale të numrit të lundrimeve por së fundmi edhe atë të udhëtarëve, krahasuar me të dhënat e vitit 2020, duke qenë edhe sektori më i prekur i industrisë detare si pasojë e kufizime të shkaktuara nga pandemia.
Kanë qenë rreth 14.933 udhëtarë të cilët kanë hyrë në vendin tonë gjatë muajit maj, ndërkohë që mbi 15.924 të tjerë kanë shfrytëzuar portin kryesor të vendit për lundrimet drejt porteve të Italisë fqinjë.