Studentët e UET, vizitë studimore në Portin e Durrësit/ 9 qershor 2023

Studentët e vitit të tretë, të Fakultetit të Inxhinierisë Industriale, në Universitetin Evropian të Tiranës, të udhëhequr nga profesori i tyre Ing. Stavri Vesho, zhvilluan sot një vizitë studimore në Autoritetin Portual Durrës. Kjo vizitë u realizua në kuadër të aktiviteteve njohëse të cilat ofrohen për studentë dhe nxënës të cikleve të ndryshme arsimore nga Qendra e Ekselencës për Çështje Detare (CEMA).

Gjatë kësaj vizite studentët janë mirëpritur nga stafi i APD-së në Sallën e Konferencave “Hysni Aruçi”, ku janë njohur nga afër me kapacitetet teknike dhe inxhinierike të operacioneve portuale si dhe me projektet strategjike infrastrukturore të kompleksit të ri tregtar Durrës-Porto Romano, nëpërmjet prezantimeve informuese të drejtorit të Qendrës së Ekselencës për Çështje Detare z.Endrit Pollo, Ing.Orges Beshku dhe Përgjegjëses së Njësisë së Standardeve dhe Cilësisë Znj.Elda Doçi.

Sistemi i integruar i menaxhimit dhe standarded ndërkombëtare ISO, funksionet dhe mekanizmat inxhinierike të operimit të investimeve infrastrukturore si dhe koordinimi i projekteve me natyrë teknike përbënë interes të veçantë për këta studentët për të përforcuar njohuritë e fituara përgjatë lëndëve teorike.

Investimet e qeverisë shqiptare në drejtim të infrastrukturës portuale si dhe rëndësia e komponentëve inxhinierikë të këtyre projekteve të cilat synojnë ta kthejnë Durrësin në një qendër logjistike në hapësirat Adriatiko-Ionian ishin gjithashtu tema interaktive të fushës të studimeve të këtyre studentëve.

Gjatë vizitës studentët u ndalën për një vizitë në terren në hapësirat e Terminalit të Mallrave Gjenerale, ku u njohën nga afër me disa nga proceset e përpunimit të mallrave në këtë terminal nën kujdesin e stafit operacional të Dispeçerisë Qendrore të Autoritetit Portual Durrës.