Autoriteti
Portual Durrës ka kryer sot proçedurat e dorëzimit të Terminalit dhe të
transferimit të Punonjësve ndaj shoqërisë Konçesionare. Me dhënien në Konçesion
të menaxhimit, operimit dhe mirëmbajtjes dhe permirësimit teknik të Terminalit
të Trageteve, APD pas dhënies më parë në Konçesion të shërbimeve të Terminalit
të Konteinereve dhe Terminalit Lindor ka kryer një hap tjetër të rëndësishëm në
zbatim të Ligjit për Autoritetin Portual Durrës. Me kryerjen e privatizimit të
shërbimeve të Terminalit Perëndimor, proçedurë e cila po vazhdon, APD plotëson
komplet rolin e tij si port Administrues Toke sipas standarteve europiane.
Kontrata e Konçesionit të Terminalit të Trageteve është lidhur me datë 22.08.2013 midis MPPT dhe Shoqërise Koncesionare “Albanian Ferry Terminal Operator” Shpk, bashkimi i Shoqërive FRS Chartering Beteiligunsgesellschaft MBH dhe Global Networks Albania shpk
Objekti i kontratës
Autoriteti Kontraktor, nëpërmjet kësaj Kontrate dhe në përputhje me kushtet e saj, i jep Konçesionarit të drejtën për investimin, menaxhimin, operimin, mirëmbajten dhe përmirësimin teknik, dhe adaptimin për të përmbushur kërkesat aktuale dhe të ardhshme të trafikut në Terminalin e Trageteve dhe Kroçerave Durrës (TTD), duke përfshirë imbarkimin dhe disimbarkimin e Anijeve të kombinuara për pasagjerë dhe/ose RoRo (tragete, katamarane etj) dhe të Kroçerave dhe aktivitete përkatëse të lidhura me to si ankorimi i anijeve, lëvizja e udhëtarëve në terminal, orientimi, depozitimi, magazinimi i mjeteve, pozicionimi, transporti, spontimi, marrja dhe shpërndarja dhe përfshirjen e sigurimin e burimeve të nevojshme që janë mjetet dhe pajisjet, sistemet, praktikat proçedurat dhe programet, organizimin dhe burimet njerëzore në përputhje me praktikat më të mira industriale
Zona në të cilën shtrihet ky Konçesion (nga kalatat 8, 9 së bashku me zonat dhe sheshet korresponduese të operacioneve, trafikut dhe të depozitimit, përfshirë terminalin e pasagjerëve në zonën veriore sipas Master Planit të Portit të Durrësit dhe kalata nr. 7 pa sheshet pas kësaj kalate, dhe gjithashtu zona e parkimit dhe kryerjes se proçedurave paraprake pranë hyrjes nr. 4 të Portit të Durrësit). Shoqëria konçesionare do të investojë për 10 vitet e para rreth 4,143,000
euro nga të cilat 2,553,000 euro në Mjete dhe makineri, pajisje përpunuese dhe operative e nevojshme dhe rreth 1,590,000 Euro për infrastrukturën.
Me dhënien në Konçesion të menaxhimit dhe operimit të Terminalit APD do të vazhdojë të ketë 100% të ardhurat nga tragetet, si ato të kanalit dhe të përdorimit të kalatës, ndërkohe që do të ketë të ardhura të tjera nga të gjitha shërbimet në masën 50% dhe të ardhurat nga qeraja vjetore. Ndërkohë, që Autoriteti Kontraktor MPPT do të ketë 2% të të ardhurave.