Themelohet Qendra e Ekselencës për Çështjet Detare në Portin e Durrësit (CEMA)/ 27 prill 2021

Është zhvilluar në Portin e Durrësit ceremonia e themelimit të Qendrës së Ekselencës për Çështjet Detare (CEMA – Centre of Excellence for Maritime Affairs), një iniciativë e Autoriteti Portual Durres me mbështetjen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Sekretariatit Rajonal të Transportit.

Të pranishëm në këtë event ishin; Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, znj.Belinda Balluku, Drejtorit të Parë të Sekretariatit të Përhershëm të Transportit, z. Matej Zakonjšek, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i APD-së, Z. Pirro Vengu, Rektorja e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Prefekti i Qarkut Durrës, z. Roland Nasto, dhe përfaqësues të pushtetit vendor.

Qendra e Ekselencës për Çështjet Detare do të jetë pikë së pari një shkollë profesionale, një instrument bashkëpunimi rajonal në funksion të zbatimit të standardeve europiane në fushën e shërbimeve portuale, si dhe një strukturë mbështetëse për sipërmarrjet novatore në logjistikën portuale, ekonominë blu dhe mjedisin detar.

Falë këtij bashkëpunimi CEMA do të sigurojë burimet e nevojshme njerëzore dhe përmirësimet e nevojshme rregullatore për zbatimin e projekteve madhore të Qeverisë shqiptare në infrastrukturën portuale dhe turizmin detar.

Krijimi i CEMA-s do të mbështesë Autoritetin Portual Durrës dhe partnerë të tjerë kombëtarë dhe rajonalë (Autoritetet Portuale dhe Administratat Detare) në rajonin Adriatiko-Jonian, për të përmirësuar operacionet portuale drejt krijimit të qendrave të përqendruara në logjistikë; për të rritur ndikimin e tyre rajonal si ofrues të shërbimeve detare; për të forcuar qeverisjen dhe sigurinë e tyre; për të identifikuar zgjidhje inovative në trajtimin e ndryshimeve klimaterike; për të mbështetur zhvillimin ekonomik. CEMA do të shërbejë si qendër trajnimi dhe ndërtimi të kapaciteteve për profesionistët e detit si dhe një pikë takimi midis sektorit detar dhe akademisë.

Një komponent i rëndësishëm do të jetë kontributi i tij në hartimin e politikave për çështjet detare dhe përditësimi i acquis communautaire në këtë sektor.

Fillimisht, CEMA do të synojë të jetë një Qendër Rajonale e Inovacionit në një marrëveshje me operatorë privat e duke ofruar kërkime të përshtatura dhe një platformë bashkëpunimi midis institucioneve të qeverisjes, qeverisë lokale, akademisë, grupeve të interesit dhe aktorëve të tjerë detarë në rajon.