Tragetet: më shumë lundrime, udhëtarë dhe mallra; më pak autovetura dhe kamjonë 16 dhjetor 2014

ragetet e linjave që nisen dhe mbërrijnë në Durrës nga portet e Barit, Ankonës dhe Triestes gjatë 11 muajve të parë të këtij viti kanë transportuar 8 përqind udhëtarë dhe 4 përqind mallra më shumë se sa e njejta periudhë e vitit të kaluar.

Nga statistikat e Autoritetit portual, mësohet se gjatë këtij viti tragetet kanë kryer 1039 lundrime, ose 18 më shumë se sa periudha janar-nëntor e vitit 2013. Mjetet lundruese te udhëtarëve kanë transportuar afro 675 mijë ton mallra, ose 24 mijë ton më shumë se e njejta periudhë e vitit paraardhës. Numri i udhëtarëve shqiptarë dhe të huaj, si dhe ai i të miturve që kanë preferuar tragetet këtë vit, në hyrje dhe në dalje nga Durrësi është 2 deri në 16 përqind më i lartë, duke arritur shifrën e përgjithshme prej 708.607 udhëtarë.

Kjo shifër është 8 përqind më e lartë se sa ajo e regjistruar në 11 muajt e vitit 2013. Pjesën dërmuese të frekuentuesve të trageteve e zenë shqiptarët, me mbi 434 mijë udhëtarë gjithsej; të huajt arrijnë shifrën 11- mujore prej 180 mijë udhëtarë, me një rritje prej 10 përqind.

Numri i udhëtarëve në dalje vazhdon të jetë më i lartë se sa ai i atyre që mbërrijnë në Durrës. Diferenca mes dy treguesve arrin në mbi 40 mijë. E kundërta ndodh me autoveturat,

numri i të cilave është më i lartë në hyrje se sa në dalje, me një diferencë prej rreth 7 mijë njësi. Gjatë këtij 11-mujori tragetet kanë transportuar afro 138 mijë e 500 autovetura, me një rënie prej 1 përqind.

Mësohet se në çdo pesë udhëtarë, njëri ka lëvizur së bashku me autoveturën e tij, pa llogaritur numrin e lartë të kamjonëve dhe trajlerëve.