1 – 28 qershor 2017, në port ankorohen 52 jahte turistike

Sot paradite në kalatën 5 të portit u ankorua jahti luksoz “Mustique” me gjatësi 46 metra. Që nga fillimi i vitit 2017 deri më 28 qershor në kalatat e portit të Durrësit, përveç trageteve, kroçerave dhe anijeve tregtare, janë ankoruar 110 jahte turistike, drejtuesit e të cilave pasi kanë marrë shërbimet përkatëse kanë vizituar edhe qytetin-port. Ndërkaq, vetëm gjatë muajit qershor të këtij viti numri i jahteve që janë ankoruar në portin më të madh të vendit arrin në 52. Të dhënat ofrohen nga Sektori i Statistikave në APD, sipas të cilit numri i jahteve që kanë mbërritur në port gjatë kësaj periudhe është më i lartë se sa ai i shënuar në të njejtën periudhë të vitit 2016.

Ato janë ankoruar kryesisht në kalatat 1, 2, 4, apo 5 të Terminalit perëndimor, që administrohet nga APD. Nga Qendra e Informacionit, mësohet se trafiku portual i jahteve turistike është më i ngjeshur nga fillimi i muajit korrik deri në fund të muajit gusht.

Sipas specialistëve portualë, kohëqëndrimi i tyre në Durrës zgjat nga 4-5 orë deri në 3-6 ditë. Gjatë viteve të fundit në portin më të madh të vendit janë ankoruar mesatarisht 220 jahte turistike në vit.