16-30 qershor: Dy velierë dhe dy kroçera me 1750 turistë në port

Në portin e Durrësit mbërriti sot paradite velieri luksoz “Sea Cloud” me 59 udhëtarë në bord. 49 prej tyre janë turistë nga SHBA, ndërsa të tjerët vijnë nga Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Kosta Rika dhe Polonia.

Brenda javës së ardhshme,, përkatësisht më 19 dhe 22 qershor, në portin e Durrësit është programuar edhe ankorimi i kroçerave “Seven Seas Navigator” me rreth 450 turistë dhe “Thomas Celebration” me rreth 1200 turistë të tjerë në bord. Po ashtu pritet edhe rikthimi i velierit “Sea Cloud”.

Deri në fund të sezonit priten edhe 16 kroçera, me afro 11 mijë turistë.

Anija turistike luksoze u ankorua në kalatën 4 sot rreth orës 7.30 paradite, ndërsa largimi i saj është parashikuar rreth orës 16.00 të së njejtës ditë. APD ka marrë masat e sigurisë si dhe ka përcaktuar zonat e lëvizjes së turistëve drejt qytetit, duke lehtësuar qarkullimin e tyre në port. Anija ka një gjatësi prej 109.5 mt dhe është regjistruar në portin Valleta (Maltë).

Velieri “Sea Cloud” viziton për herë të parë gjatë këtij viti portin e Durrësit, ndërsa që nga muaji mars 2016 në portin më të madh të vendit janë ankoruar edhe 5 kroçera të tjera.