5 anije kroçerë gjatë muajit tetor në kalatat e portit

Pesë anije kroçerë do të ankorohen në portin e Durrësit gjatë muajit tetor. Në Qendrën e Informacionit mësohet se këto janë anijet e fundit turistike për vitin 2017 në Durrës.

Nga i njejti burim, mësohet se nga 4 – 28 tetor në kalatat 4 dhe 5 do të ankorohen kroçerat “Voyager”, “Prinsedam”, “Ocean Majesty” dhe “Serenissima”. Kroçera “Ocean Majesty” do të lundrojë dy herë drejt Durrësit, më 13 dhe 28 tetor. Ndërkaq, bashkë me “Ocean Majesty” më 13 tetor do të mbërrijë në Durrës edhe kroçera “Serenissima”.

Anijet turistike të muajit tetor me gjatësi deri në 205 metra kanë kapacitete deri në 800 udhëtarë.

Numri i kroçerave në Durrës gjatë këtij viti ka qenë i kufizuar, krahasuar me vitin 2016 kur në portin e Durrësit janë ankoruar 24 kroçera dhe anije veliere, me një numër të përgjithshëm prej 14.084 turistë.

Shumica e turistëve vijnë nga SHBA, Gjermania dhe Britania e Madhe, por nuk mungojnë udhëtarët nga të gjitha kontinentet.

Gjatë qëndrimit në vendin tonë turistët vizitojnë qytetet e Durrësit, Krujës, Beratit dhe Tiranës.