Ambasada Franceze ofron trajnim për personelin e sigurisë në Portin e Durrësit/ 26 nëntor 2024

Në kuadër të intensifikimit të masave për kontrollin dhe sigurinë kufitare, në Sallën e Konferencave “Hysni Aruçi” u zhvillua një trajnim dyditor me fokus identifikimin e dokumenteve të falsifikuara.

Ky trajnim, organizuar nga Ambasada Franceze në Tiranë në bashkëpunim me Forcën e Sigurisë Portuale të Durrësit, mblodhi efektivë nga nivelet e ndryshme të sigurisë portuale, punonjës të Policisë së Kufirit dhe Migracionit, si dhe përfaqësues të operatorëve portualë që operojnë në pikën kufitare detare të Durrësit.

Përfaqësuesit e Policisë Franceze ndanë ekspertizën e tyre lidhur me elementët specifikë të identifikimit të dokumenteve të falsifikuara të udhëtimit dhe legjitimitetin e kartëmonedhave.

Gjatë dy ditëve, trajnimet u përqendruan në tema kyçe si:
• Elementët e sigurisë në dokumentet e udhëtimit
• Kategoritë dhe metodat e falsifikimit të dokumenteve dhe kartëmonedhave
• Teknikat e prodhimit dhe printimit të pasaportave
• Përdorimi i avancuar i lexuesve elektronikë të dokumenteve të identifikimit personal

Si rezultat, pjesëmarrësit përmirësuan aftësitë për identifikimin dhe zbulimin e dokumenteve të falsifikuara dhe trajtimin e rasteve të dyshimta. Ky trajnim kontribuon në rritjen e sigurisë dhe parandalimin e aktiviteteve të paligjshme në portin më të madh detar të Shqipërisë.