Gjatë 3 muajve të parë të këtij viti në portin e Durrësit janë përpunuar 355 anije dhe tragete, duke shënuar një rritje prej 14 përqind më shumë mallra krahasuar me periudhën janar‐mars të vitit 2017. Shkëmbimet e mallrave janë kryer kryesisht me vende si Rusia (22 përqind), Turqia (19 përqind), Italia (17), Malta (8), Ukraina (7), Greqia, Libia dhe Egjypti (nga 5 përqind secila), etj.
Sipas të dhënave të Sektorit të Statistikave në APD, gjatë këtij 3‐mujori nga anijet dhe tragetet janë përpunuar në kalata mbi 894 mijë ton mallra të ndryshme gjithsej. Nga statistikat 3‐mujore mësohet se 60 përqind e eksporteve i janë drejtuar me anije dhe tragete Italisë, 37 përqind janë nisur për në Maltë, ndërsa 3 përqind të mbetura kanë patur si drejtim Francën.
Importet vijnë kryesisht nga Rusia (28 përqind) dhe Turqia (24 përqind), që kryejnë së bashku më shumë se gjysmën e importit të mallrave drejt Durrësit. Bashkë me Greqinë, Italinë, Ukrainën dhe Egjyptin (me nga 9‐5 përqind secila), mallrat e importit mbërrijnë me anije edhe nga Libia, Spanja, Bullgaria, Franca, etj.