Gjatë muajit mars të këtij viti në Terminalin e Mallrave Gjenerale ( që njihet ndryshe si Terminali Perëndimor) janë përpunuar 30 anije me mallra, ndërsa numri i përgjithshëm i anijeve tregtare të përpunuara në portin më të madh të vendit gjatë të njejtit muaj arrin në 64.
Nga të dhënat operative të Autoritetit Portual Durrës, mësohet se në Terminalin përëndimor, që administrohet nga APD, gjatë muajit që lamë pas janë përpunuar 79.835 ton mallra të ndryshme gjithsej, si hekur, llamarinë, grurë, superfosfat, xhama, çimento, kripë, melaminë apo plehra bujqësore. Të dhënat e APD, bëjnë me dije se në kalatat 1, 2, 4, dhe 5 të Terminalit Perëndimor gjatë muajit mars 2019 janë përpunuar edhe makineri e kontejnerë me mallra për gazsjellësin TAP.
Nga anija “Sea Leader” janë shkarkuar 6.050 ton grurë, sasia më e madhe e përpunuar në një anije gjatë këtij muaji në këtë Terminal.
Ndërkaq, po gjatë muajit mars në Terminalin e Kontejnerëve janë përpunuar 22 anije e në Terminalin Lindor 12 anije të tjera.