APD: Afro 316 mijë ton çimento për eksport në një vit

-Shifra 5.6 herë më e lartë se sa në vitin 2016-

Afro 316 mijë ton çimento për eksport janë përpunuar në portin e Durrësit gjatë vitit 2017. Shifra është 5.6 herë më e lartë se sa sasia prej mbi 56 mijë ton, që u përpunua në portin më të madh të vendit gjatë vitit 2016.

Sipas të dhënave të sektorit të Statistikave, edhe gjatë muajit janar 2018, sasia e çimentos për eksport nga Durrësi në porte të tjerë arrin në 25.632 ton, ose 12 mijë ton më e lartë se sa ajo e janarit 2017.

Nga Qendra e Informacionit në APD, mësohet se çimento “made in Albania” që prodhohet në fabrikat e rajonit të Fushë Krujës është ngarkuar kryesisht në anijet “Sirios Cement 1”, Vela 1”, “Seaven Luck” dhe “Edra IV”, të cilat gjatë një viti, kanë transportuar më shumë se 90 përqind të çimentos për eksport.

Çimento e prodhuar në fabrikat pranë Fushë Krujës dhe që shfrytëzohet për industrinë e ndërtimit i është drejtuar porteve të Margheras (Itali) dhe Maltës.