APD: Dy ditët e fundit të vitit; përpunohen 4 anije në kalata, priten edhe 5 anije të tjera tregtare

Dy tragete me udhëtarë dhe automjete kanë mbërritur sot në mëngjes në portin e Durrësit, ndërsa në kalata vazhdon përpunimi i katër anijeve me mallra të ndryshme.

Qendra e Informacionit në Autoritetin Portual, bën me dije se edhe në dy ditët e fundit të vitit puna do të vijojë pa ndërprerje.  Në kalatat 1, 2 dhe 5 të Terminalit Perëndimor po përpunohen 3 anije me rreth 9,600 ton mallra gjithsej, si xhama, melaminë dhe çimento, ndërsa në kalatën 6 po përpunohet anija e specializuar “MSC Adriely” me 705 konteinerë gjithsej.

Ndërkaq, mësohet se dy tragetet e linjës Bari – Durrës kanë sjellë sot në portin më të madh të vendit 1021 udhëtarë me 171 automjete gjithsej.

Nga Qendra e Informacionit në APD mësohet se edhe në ditën e fundit të vitit 2019 në port pritet të akostohen edhe pesë anije të tjera tregtare me kripë, ure’, konteinerë dhe çimento, mbi 12 mijë ton mallra gjithsej.