APD, importet me anije: kryesisht materiale ndërtimi, plehra bujqësore dhe mallra ushqimore

Mallrat ushqimore, materialet e ndërtimit dhe plehrat bujqësore përpëjnë përsëri importet kryesore të mallrave që mbërrijnë me anije tregtare në portin e Durrësit.

Sipas të dhënave të Sektorit të Statistikave në APD, gjatë 3‐mujorit janar‐mars 2018 nga anijet tregtare të përpunuara në kalatat e Terminalit Perëndimor dhe atij Lindor janë shkarkuar afro 17.500 ton plehra kimike, nitrat dhe ure’, me destinacion fermat bujqësore të vendit.

Mbi 20 mijë ton çimento, 7.600 ton xhama dhe 12.300 ton hekur janë porositur për industrinë vendase të ndërtimit, pa harruar 3.400 ton blloqe mermeri si dhe 17.200 ton melaminë për mobileritë. Afro 29 mijë ton mallra ushqimore si grurë, vaj ushqimor, apo misër janë shkarkuar gjatë 3 muajve të parë të këtij viti në dy Terminalet e mallrave të portit.

Që nga fillimi i vitit në kalatat e Terminalit të Mallrave Gjenerale, siç nihet Terminali Perëndimor, janë shkarkuar edhe 508 ton makineri dhe rreth 6.800 ton tuba. Në të njejtën periudhë janë përpunuar afro 32 mijë ton qymyr koks.

Gjatë periudhës janar‐mars të këtij viti në Terminalin Perëndimor janë shkarkuar 50 anije tregtare, ndërsa 24 të tjera janë përpunuar në Terminalin Lindor.