Në ditën e dytë të “Javës së Datarisë”, diskutimet e panelistëve të huaj dhe vendas u fokusuan në një prej tematikave më aktuale të vendit, atë të risqeve dhe sfidave të inovacionit në sistemet e sigurisë portuale.
Kreu i Autoritetit Portual Durrës, z. Pirro Vengu, i cili hapi punimet e ditës së dytë të aktiviteteve të planifikuara, theksoi rëndësinë e kësaj tematike sa të mprehtë aq edhe të rëndësishme, duke vënë në fokus rëndësinë dhe vëmendjen që duhet të kenë sistemet e sigurisë në vend.
Z. Daniel Gonzales, Oficer i Sigurisë Ndërkombëtare Portuale pranë Rojes Bregdetare Amerikane, gjatë fjalës së tij theksoi parteneritetin dhe bashkëpunimin me qeverinë shqiptare në drejtim të forcimit të mëtejshëm të rritjes së parametrave të sigurisë portuale dhe implementimit të kodit ISPS.
Ndërkohë, përfaqësuesi i Rojes Bregdetare Amerikane, , z. Joshua Sagers, gjatë diskutimit theksoi se nevoja për bashkëpunim mes të gjithë aktorëve për të garantuar parametrat e nevojshëm të sigurisë së porteve, është një ndër nevojat aktuale të këtij sektori jo vetëm në Shqipëri, duke sjellë për të pranishmit shembuj praktik të eksperiencës së tyre profesionale.
Nën moderimim e z. Elson Thana, Ekspert për Çështjet e Transporti Detar pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, theksoi bashkëpunimin e e vazhdueshëm të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veçanërisht bashkëpunimin e Marinës Amerikane me Portin e Durrësit.
I pranishëm në panel ishte përfaqësues nga sektori privat, z. Artur Paço, administrator i MSC-së për Shqipërinë, i cili duke marrë shkas nga ngjarjet e fundit në drejtim të sigurisë në vend, pohoi se ka nevojë për zhvillim të mëtejshëm në fushën e sigurisë.
Kapiten Melvin Yokoyama, Drejtues programimi pranë “Jones Group International” u shpreh ndër të tjera se: “Në çështjet e sigurisë nuk ka rëndësi vetëm IT por merr vlerë pyetja përse? Është pikërisht kjo pyetje që na ka mbledhur sot këtu. Në përditshmërinë time zbatoj 5 W(Who, What, When, Where and Why), kurse teknologjia është pjesa tjetër. Kush janë portet? Ku janë hapësirat(toka, ajëri, hapësira kibernetike)?. Kjo është fokus në Marinën Amerikane”.
Në sugjerimet e tij për parandalimin e sulmeve kibernetike, z. Yakoyama, sugjeroi identifikimin e priroriteteve që kanë nevojë për mbrojtje dhe qëllimin e mbrojtjes së tyre.
Në vijim të diskutimeve profesionale mes panelistëve dhe të pranishmëve në aktivitet, z. Agron Jaku, Drejtor i Lartë pranë S2 Albania, pohoi se siguria nuk mund të shihet si element i parëndësishëm, përkundrazi, gjërat kanë ndryshuar pozitivisht në këtë aspekt, por vëmëndja duhet të jetë edhe më e madhe nga të gjithë aktorët që mundësojnë transportin detar. “Intergimi i të dhënave në kohë reale është thelbësore”, pohoi z. Janku.
Në vijim të diskutimeve, z. Driton Musolli, themelues dhe drejtues i kompanisë private “Cargo Flags”, bëri të ditur se në bashkëpunim me Autoritetin Portual Durrës do të krijojnë inkubatorin e parë i cili do të mbështesë strategjinë “Shqipëria Qendër Logjistike Rajonale 2025-2030”, që do të implementohet nëpërmjet dy shtyllave kryesore, me fokus kapacitetin teknik dhe mbështetjen e start up-eve në fushën e logjistikës dhe detarisë.
Diskutimet teknike mes të pranishmëve vijuan për të përcaktuar nevojat për reagim të shpejtë ndaj risqeve në sistemet e sigurisë portuale.