Qëndrimi 3-orësh në port mbyllet me vizitat në Terminalin Perëndimor dhe në atë të Trageteve.
Autoriteti Portual Durrës mikpriti sot një grup përfaqësues nga Dhoma e Tregtisë Polake dhe deputetë nga Grupi parlamentar Poloni – Shqipëri.
Takimi i organizuar nga Dhoma e Tregtisë së Durrësit me mbështetjen e APD u zhvillua në Sallën e Trajnimeve, në prani të një grupi biznesmenësh nga Durrësi.
Të pranishmit i përshëndeti znj. Sonila Toska, zv. Drejtore Ekzekutive e APD, e cila pasi prezantoi zhvillimet e fundit portuale shprehu kënaqësinë për kontaktet në rritje me biznesin e huaj, veçanërisht atë nga Polonia.
Më pas kryetari i Dhomës së Tregtisë Durrës, Andrea Xhavara përshëndeti misionin 4-ditor të biznesit polak, i cili veç Tiranës u ndal edhe në Durrës dhe prezantoi temën “Shqipëria – Durrësi, një zgjedhje e shkëlqye biznesi”.
Z. Andrzej Arendarski, president i Dhomës së Tregtisë së Polonisë, tha se prej tre ditësh ata kanë takuar kryesisht në Tiranë përfaqësues të institucioneve dhe të bizneseve shqiptare, çka hap perspektivë të re kontaktesh dhe bashkëpunimi edhe në fushën ekonomike.
Kryetari i Grupit Parlamentar Poloni – Shqipëri, shprehu dëshirën për rritjen e marrëdhënieve mes sipërmarrësve nga të dy vendet, duke marrë si shembull zhvillimet pozitive në fushën e turizmit dhe rritjen e numrit të turistëve nga Polonia në bregdetin shqiptar.
Më pas përgjegjësi i Sektorit të Promocionit në APD, Arben Xhemali, prezantoi situatën e performancës aktuale në portin më të madh të vendit tonë. Qëndrimi 3-orësh i grupit prej mbi 20 përfaqësuesih të Parlamentit dhe biznesit polak në portin e Durrësit u mbyll me vizitën në sheshet dhe kalatat e Terminalit Perëndimor, si dhe në Terminalin e Trageteve.