Portin e Durrësit e vizitoi sot një mision i zgjeruar i PNUD dhe konsulencës kroate, në vijim të zbatimit të projektit për parandalimin e ndotjes detare dhe që financohet nga Qeveria e Kroacisë.
Ceremonia e çeljes dhe e prezantimit të këtij Projekti u zhvillua dy muaj më parë në ambjentet e portit të Durrësit, në prani të Presidentes së Kroacisë, znj. Kolinda Grabar Kitaroviç.
Misioni fakt-mbledhës që u prit nga znj Blerina Hasani, drejtore e Drejtorisë së Mjedisit, Sigurimit teknik, Mbrojtjes së shëndetit dhe Emergjencave, dhe një grup specialistësh portualë, trajtoi disa nga shqetësimet e konstatuara edhe në porte të tjerë të rajonit.
Znj Violeta Zuna, drejtuese e PNUD në vendin tonë dhe z Vedran Martiniç, drejtues i shoqatës konsulente kroate, u interesuan veçanwrisht për problematikat e vërejtura në portin më të madh të vendit tonë.
Misioni, bashkë me portin e Durrësit do të monitorojë edhe portet e tjerë të vendit si dhe disa nga pikat e nxehta që paraqesin dhe mbartin edhe riskun kryesor të ndotjes detare.
Projekti synon trajtimin e çeshtjeve që lidhen me parandalimin e ndotjes detare, vleresimin e riskut, planin e kontigjences dhe sistemet e ragimit dhe ermergjences.
Porti i Durrësit nisi të ndryshojë mënyrën dhe konceptin e drejtimit 15 vjet më parë, në vitin 2003, kur Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi propozimin e Këshillit të Ministrave për Autoritetin Portual.