Në portin më të madh në vend ka nisur mëngjesi i sotëm procesi i shkarkimit të 6,194 tonë grurë.
Sipas Autoritetit Portual Durrës, sasia e grurit ka mbërritur në portin e Durrësit një ditë më parë me anijen “Raptor”.
Anija tregtare është akostuar në molin 2, pas lundrimit disa ditor nga Iskenderun, Turqi.
Në portin e Durrësit po përpunohet edhe anija “Seacon 8” me 12 000 tonë koncentrat kromi, ndërsa është në pritje për t’u përpunuar anija “Dona Ble” me 8 500 tonë Klinker.
Në vitin 2021, volumi i mallrave të ngarkuara/shkarkuara në porte është 4.839,6 mijë tonë, duke u rritur me 13,2 %, krahasuar me vitin 2020. Volumi i mallrave të ngarkuara apo shkarkuara në porte është rritur me 8,6 %, krahasuar me vitin 2019.
Në dymujorin e vitit 2022, volumi i mallrave të ngarkuara/shkarkuara në porte është 644.7 mijë tonë. Përgjatë periudhës janar-shkurt, mallrat e eksportuara me det zënë 53,2 % të vëllimit, ndërsa mallrat e importuara përmes detit zënë 48,7 % të vëllimit.