APD, Statistikat 2011 – 2018: -çdo vit përpunohen gradualisht më pak anije, por me tonazh më të madh -rritet volumi vjetor i mallrave të përpunuara

Numri vjetor i anijeve dhe trageteve të përpunuar në portin e Durrësit gjatë 10-vjeçarit të fundit ka ardhur gradualisht në rënie, ndërsa në të njejtën kohë është rritur volumi i përgjithshëm i mallrave të përpunuar.

Nga Sektori i Statistikave në APD, mësohet se nëse në vitin 2011 në kalatat e portit më të madh të vendit janë përpunuar 2.086 anije e tragete me 3 milion e 490 mijë ton mallra, gjatë vitit të kaluar u përpunuan 1.561 anije e tragete me mbi 3 milion e 614 mijë ton mallra gjithsej.

Sipas specialistëve portualë të statistikave, rënia e përgjithshme e numrit të anijeve të përpunuara nuk ka ndikuar në volumin e përgjithshëm të mallrave, pwrkundrazi. Vitet e fundit është rritur gradualisht sasia mesatare e mallrave të eksport- importit për çdo anije të përpunuar në kalata, dhe për pasojë është rritur edhe volumi i përgjithshëm vjetor i mallrave.

Numri më i vogël vjetor i anijeve dhe trageteve të përpunuar në portin e Durrësit i përket vitit 2016 me 1.552 anije gjithsej, ndërsa volumi më i madh i mallrave vitit 2014 me afro 3 milion e 718 mijë ton gjithsej.

Më shumë të dhëna statistikore gjeni në faqen web www.apdurres.com.al