Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, z. Pirro Vengu, mikpriti sot kursantët e Akademisë së Forcave të Armatosura Shqiptare në kuadër të praktikës së Kursit të Lartë të Oficerit (KLO), të shoqëruar dhe nga përfaqësues të strukturave kyçe të kursantëve të KLO në Republikën e Shqipërisë.
Kreu i APD-së, njohu të pranishmit me kapacitetet dhe infrastrukturën portuale, përballimin me sukses të stërvitjes më të madhe ushtarake të zhvilluar ne vendin tonë “DEFENDER 21”, si dhe projektet zhvillimore të Portit më të madh në vend, që synojnë kthimin e Gjirit të Durrësit në një nyjë të rëndësishme logjistike për rajonin.
Pas prezantimit të detajuar nga Drejtori i Përgjithshëm, iu përgjigj interesit të të pranishmëve, të cilët e fokusuan bashkëbisedimin mbi projektet madhore të Portit si dhe rolin e tij si termometër i ekonomisë së vendit tonë. Në fund të ceremonisë, kursantët në emër të Forcave të Armatosura Shqiptare, në shenjë falenderimimi i dhanë certifikatë mirënjohje z. Vengu dhe z. Velaj me motivacionin e bashkëpunimit produktiv mes palëve.
Të pranishëm në takim ishin përfaqësues të APD, Z. Pirro Vengu, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv, Z. Alfred Velaj Drejtor i Forcës së Sigurisë Portuale.
Kursi i Lartë i oficerit është kursi më i lartë në hiearkinë e arsimit ushtarak profesional dhe ka një rëndësi të veçantë sepse realizon kalimin e përgatitjes së oficerit nga niveli taktik në atë operativ dhe strategjik.
Ky kurs, ka përgjegjësinë të përgatisë oficerë të gradës nënkolonel dhe komandues shtabi të aftë për të vepruar në mjedise strategjike, operacionale si dhe për të trajtuar me efektivitet çështje të cilat lidhen me sigurinë kombëtare.