APD, tragetet në periudhën 1-15 prill 2019: Më shumë udhëtarë dhe automjete mbërrijnë në Durrës se sa nisen drejt Barit dhe Ankonës (Itali)

Tragetet e linjës Durrës – Bari dhe Durrës – Ankona e kthim kanë transportuar në periudhën 1 – 15 prill afro 18 mijë udhëtarë dhe mbi 6.600 autovetura, kamjonë dhe trajlerë gjithsej.

Nga të dhënat operative të APD, mësohet se në gjysmën e parë të muajit prill të këtij viti numri i udhëtarëve dhe automjeteve që kanë mbërritur në Durrës me tragete është më i madh se sa numri i atyre që kanë zgjedhur tragetet për tu nisur drejt Italisë.

Në periudhën 1 – 15 prill 2019 në portin më të madh të vendit kanë mbërritur me tragete 9.700 udhëtarë, 2.055 autovetura dhe 1.780 kamjonë dhe trajlerë me mallra të ndryshme.

Gjatë së njejtës periudhë në dy portet e Italisë kanë zbritur nga tragetet e linjës me Durrësin 8.217 udhëtarë, 1.091 autovetura dhe 1.682 kamjonë dhe trajlerë gjithsej.

Në këto 15 ditë tragetet janë shfrytëzuar nga një numër më i madh kamjonësh dhe trajlerësh me mallra, se sa autoveturash.

Aktualisht në dy linjat detare lundrojnë pesë tragete gjithsej.