Autoriteti Portual Durrës drejt tranzicionit të gjelbër

14 prill 2025

Më datë 8 prill 2025, në Pire, Athinë, u zhvillua takimi i katërt i Komitetit Drejtues të projektit RENEWPORT, ku morën pjesë të gjithë partnerët e përfshirë. Gjatë këtij takimi, Autoriteti Portual Durrës prezantoi planin e investimit për instalimin e paneleve fotovoltaike, që synojnë prodhimin e energjisë së rinovueshme në hapësirat e portit.

RENEWPORT, i financuar nga Interreg Euro-Med Programme, ka si qëllim lehtësimin e tranzicionit energjetik të porteve mesdhetare, përmes përdorimit të burimeve alternative dhe reduktimit të emetimeve të karbonit.

Në kuadër të këtij projekti, Porti i Durrësit parashikon instalimin e sistemeve fotovoltaike në tarracat e godina e të administratës.

Në vijim të këtyre përpjekjeve, më datë 9 prill 2025, në Pire u zhvillua gjithashtu takimi i dytë i partnerëve të projektit ADRIREC, i financuar nga Programi Interreg IPA ADRION. Ky projekt ka në fokus promovimin dhe shfrytëzimin e energjisë së rinovueshme, si një mënyrë për të reduktuar kostot energjetike dhe ndikimin mjedisor të burimeve fosile.

Autoriteti Portual Durrës do të përfitojë nga ky projekt një tjetër investim në panele fotovoltaike, të cilat do të instalohen në tarracat e godinave të administratës, në vazhdimësi të implementimit të projektit RenewPort

Zhvillimi i qëndrueshëm dhe tranzicioni i gjelbër janë prioritet për Autoritetin Portual Durrës. Këto investime përfaqësojnë një hap konkret drejt përmirësimit të performancës mjedisore dhe energjetike të portit më të madh në vend.