Zhvillimi i mëtejshëm i sektorit të detarisë, infrastrukturës portuale, turizmit dhe peshkimit, përmes zbatimit të politikave të integruara në mbështetje të ekonomisë blu, ishte kryefjala e takimit të zhvilluar mes përfaqësuesve të Bankës Botërore dhe Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit Portual Durrës.
Ekspertët e Industrisë detare pranë Bankës Botërore, z. Jo Scortino, z. Stefán Þórarinsson dhe z. Ögmundur Knútsson, ndanë me Drejtorin e APD-së, z. Pirro Vengu, analizën e tyre lidhur me mirëqeverisjen e autoriteteve portuale si strukturë mbështetëse në zhvillimin e turizmit dhe peshkimit.
Z. Vengu nënvizoi rolin e rëndësishëm të Shqipërisë si një potencial rajonal për të çuar përpara zhvillimin e integruar të ekonomisë blu (Blue Economy), nëpërmjet rritjes së kapaciteteve inxhinierike dhe planifikuese për infrastrukturën portuale dhe menaxhimin detar në rang kombëtar.
Në kuadër të një programi mbështetjeje të dedikuar, Banka Botërore do të vijojë bashkëpunimin me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe APD, në funksion të mirëmenaxhimit të resurseve nën-ujore dhe zhvillimit të qendrueshëm.