Autoriteti Portual i Durrësit dhe ai i Barit do të zhvillojnë bashkërisht aktivitete operative të kërkimit dhe formimit në sektorë të interesave të përbashkët, për mbështetjen dhe për zhvillimin e trafikut të mallrave dhe udhëtarëve midis të dy Porteve. Gjithçka është përcaktuar në një Marrëveshje që u zyrtarizua më 15 shtator 2015.
Protokoll marrëveshja u nënshkrua pasditen e së martës nga Drejtori i përgjithshëm i APD, ing. Gazmend Shalsi dhe Presidenti i APB, Francesco Mariani.
Në ceremoninë e zhvilluar në mjediset e Autoritetit Portual të Barit, morri pjesë Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, si dhe drejtues të porteve dhe Administratave detare përkatëse.
Duke përshëndetur pjesmarrësit, z. Edi Rama, i cili të martën morri pjesë në një sërë veprimtarish në kryeqendrën e rajonit të Puglias, vlerësoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit mes dy porteve.
Drejtori i përgjithshëm i APD, ing. Gazmend Shalsi nënvizoi vlerat që merr aktualisht bashkëpunimi në sektorin e sistemeve logjistike në mbështetje të trafikut detar.
Presidenti i APB, Mariani tha se kjo marrëveshje hap një perspektivë të re zhvillimi që mund të bëhet themelore për zhvillimin e të dy territoreve tona.
Aktualisht në portin e Durrësit mbërrijnë rreth 89 përqind e udhëtarëve që vijnë apo nisen drejt portit të Barit.