Qindra besimtarë ortodoksë në Durrës kanë kremtuar sot, Ditën e Ujit të Bekuar. Ceremonia simbolike e hedhjes së Kryqit në ujë, u zhvillua në kalatën 5 të portit, menjëherë pas meshës së paradites në katedralen e Shën Pavlit dhe Shën Astit.
Besimtarë të shumtë, së bashku me qindra qytetarë të tjerë durrsakë lëvizën drejt hyrjes nr 2 të portit dhe nën kujdesin e forcave të Sigurisë FSPD iu drejtuan mjediseve portuale.
Drejtoria ekzekutive e Autoritetit Portual, kishte marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e ceremonisë, që nga shoqërimi i korteut të besimtarëve drejt kalatës, pranë së cilës u zhvillua rituali, deri te kujdesi për shëndetin dhe shoqërimin me gomone të të rinjve që sfiduan ujrat e ftohta, për kapjen simbolike të Kryqit. Një grup prej 11 punonjësish të FSPD, një zhytës nënujor, si dhe autoambulanca portuale ishin në gatishmëri dhe në ndihmë të organizatorëve dhe qytetarëve të pranishëm.
Mes katër djemve të rinj, fati i buzëqeshi studentit Edion Gjoni, i cili mes përgëzimeve të besimtarëve uroi paqe dhe qetësi për të gjithë.
Kremtimi i Ditës së Ujit të Bekuar në Durrës është një nga ceremonitë fetare e qytetare që zhvillohen çdo vit në mjediset e Portit më të madh të vendit.