25.11.2026
Autoriteti Portual Durrës mori pjesë në aktivitetin BLUE ECOSYSTEM CAPITALISATION LAB 2026, të organizuar në kuadër të projektit BLUE ECOSYSTEM, me bashkëfinancimin e Bashkimit Evropian përmes programit Interreg Euro-MED.
Në këtë aktivitet, Autoriteti Portual Durrës u përfaqësua nga Qendra e Ekselencës për Çështje Detare (CEMA), duke u bërë pjesë e diskutimeve dhe shkëmbimit të përvojave mbi zhvillimin e ekonomisë blu, inovacionin dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet aktorëve të sektorit detar.
Aktiviteti tre ditor, i cili po zhvillohet në ambientet e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, bashkon përfaqësues të institucioneve publike, universiteteve, bizneseve dhe partnerëve ndërkombëtarë. Në fokus të programit janë modelet e qëndrueshme të biznesit, turizmi bregdetar, përdorimi i burimeve detare, zhvillimi i aftësive profesionale, inovacioni dhe ekonomia qarkulluese.
Një nga momentet e programit është edhe vizita studimore në Portin e Durrësit, ku pjesëmarrësit do të njihen nga afër me veprimtarinë portuale, proceset logjistike dhe operacionet detare, si dhe me mundësitë për bashkëpunim në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit.
Pjesëmarrja në këtë aktivitet përfaqëson një mundësi për Autoritetin Portual Durrës dhe CEMA-n për të ndarë përvojën institucionale, për të krijuar kontakte të reja dhe për të kontribuar në nismat që synojnë zhvillimin e ekonomisë blu në hapësirën e Mesdheut.

