20.11.2026
Ekipet e Emergjencave Civile dhe të Repartit Zjarrfikës të Autoritetit Portual Durrës vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë për përballimin e situatave emergjente, duke ofruar mbështetje për strukturat përgjegjëse, përdoruesit e portit dhe komunitetin.
Gjatë periudhës janar–nëntor 2026, brenda territorit portual janë realizuar mbi 63 orë shërbimi dhe ndërhyrjeje për përballimin e situatave të zjarreve, përmbytjeve dhe aksidenteve, si dhe për garantimin e gatishmërisë në mbështetje të Forcës së Sigurisë dhe Policisë së Durrësit (FSPD).
Paralelisht, ekipet e APD-së kanë kontribuar edhe në përballimin e emergjencave jashtë territorit portual, duke kryer mbi 95 orë shërbimi në zona të ndryshme të Qarkut Durrës. Ndërhyrjet kanë përfshirë situata zjarresh dhe përmbytjesh në Durrës, Krujë, Kavajë, Shijak dhe Gjirin e Lalëzit.
Angazhimi i këtyre strukturave dëshmon rolin e rëndësishëm të shërbimeve të emergjencave të Autoritetit Portual Durrës, jo vetëm në garantimin e sigurisë brenda portit, por edhe në mbështetjen e komunitetit dhe institucioneve të tjera në rastet kur kërkohet ndërhyrje e koordinuar.
Autoriteti Portual Durrës vijon të mbajë në gatishmëri strukturat e tij për t’iu përgjigjur situatave emergjente dhe për të kontribuar në mbrojtjen e jetës, pronës dhe sigurisë publike.


