Fundjava, priten 9 anije me 40 mijë ton mallra dhe 616 kontejnerë

Gjatë ditëve të fundjavës në portin e Durrësit pritet të nisë përpunimi i nëntë anijeve me mallra dhe kontejnerë, ndërsa vazhdon shkarkimi i dy anijeve me 8780 ton tuba çeliku dhe 5200 ton grurë.

Sipas të dhënave të dispeçerisë, duke filluar nga dita e premte në port pritet të ankorohen 7 anije me afro 40 mijë ton mallra gjithsej dhe dy anije të tjera me 616 kontejnerë gjithsej.

Anijet do të ankorohen në të gjitha kalatat e portit, të destinuara për ngarkim-shkarkimin e mallrave. Në kalatën 5 nga anijet “Lavieen Rose” dhe “Whiskey Trio” do të shkarkohen përkatësisht 10.037 ton prokate dhe 2852 ton profile çeliku. Në kalatat 1, 2 dhe 4 do të përpunohen 3300 ton superfosfat, 5300 ton grurë, 3290 ton nitrat dhe 1289 ton sojë.

Ndërkaq, në kalatën 10 të Terminalit perëndimor do të ankorohet anija “Sunshine” me 13120 ton tuba çeliku për gazsjellësin TAP.

Në kalatën 6 do të ankorohen anijet “Mehmet Dadayli” dhe “MSC Jilhan”, me 146 dhe 470 kontejnerë përkatësisht.