“Skanderbeg”, nën emrin e heroit tonë kombëtar ishte pagëzuar njëra nga dy anijet të cilat shenjuan zyrtarisht krijimin e Forcave Detare Shqiptare.
Më 25 dhjetor 1925, mbërritën nga Italia dy anije 190 tonëshe, të cilat u emërtuan me emrat sinjifikativë ”Shqypnia” dhe “Skënderbeg”. Këto anije u pajisen me efektivë marinarësh dhe u përdorën duke kryer detyra në interes të luftës kundër kontrabandës në brigjet shqiptare. Kjo datë shënon dhe Krijimin e Forcave Detare Shqiptare.
Dy dragaminat patrulluese gjermane, të klasit FM1, të ndërtuara nga L1B (të Luftës së Parë Botërore), iu blenë Italisë fashiste nga qeveria e Ahmet Zogut.
Këto anije ishin të armatosura me një top 76mm. Gjatë viteve 1925-1928 ato kryen patrullime dhe më pas u përdorën për qëllime stërvitore deri në vitin 1937.
Në kronikat e shtypit të kohës shkruhet se anijet e ankoruara një milje larg bregut zbrazën tre herë topat për të përshëndetur qytetarët e shumtë që kishin dalë në breg për të ndjekur ceremonitë e kësaj ngjarjeje të veçantë dhe më pas nisën lundrimin.
Me rastin e Javës së Detarëve vendosëm ta sjellim në vëmendjen anijen “Skanderbeg” përmes një punimi grafik të Mathieu Persan.