Në periudhën janar –qershor të këtij viti tragetet e linjave Durrës – Bari dhe Durrës – Ankona – Trieste e kthim janë shfrytëzuar nga 274,779 udhëtarë me 50,463 autovetura gjithsej. Sektori I Statistikave në APD bën me dije se shifrat janë më të larta përkatësisht 2 dhe 3 përqind, krahasuar me 6 mujorin e parë të vitit 2016.
Tragetet kanë kryer 448 lundrime, ose 42 më pak se sa në të nejtën periudhë të vitit të kaluar, por numri i udhëtarëve dhe autoveturave në hyrje dhe në dalje nga porti më i madh i vendit ka pasur një rritje prej 2 dhe 3 përqind.
Në Terminalin e trageteve kanë mbërritur 122.891 udhëtarë me 26.692 autovetura, ndërsa drejt Barit dhe Ankonës janë nisur nga i njejti Terminal 151.888 udhëtarë me 23.771 autovetura. Numri i autoveturave në hyrje është më i madh se sa në dalje, ndërsa ndodh e kundërta me shifrat e udhëtarëve.
Ndërkaq, rritje ka patur edhe numri i udhëtarëve të huaj që zgjedhin tragetet. Në 6-mujorin e parë të vitit në vazhdim 60.842 shtetas të huaj kanë preferuar të udhëtojnë me tragetet nga/drejt Durrësit.
Gjatë gjysmës së parë të këtij viti tragetet, bashkë me udhëtarët dhe autoveturat, kanë transportuar 406.496 ton mallra të ndryshme, të ngarkuara në kamjonë dhe trajlerë.