Konferenca për shtyp e fundvitit: Drejtori ekzekutiv i APD, Gazmend Shalsi i përgjigjet interesimit të mediave

Drejtori Ekzekutiv i Autoritetit Portual, z. Gazmend Shalsi zhvilloi sot paradite takimin e përvitshëm me përfaqësuesit e medias lokale dhe kombëtare.

Në fillim të konferencës së shtypit, që është kthyer në traditë për APD, drejtori Shalsi uroi gazetarët për festat e fundvitit si dhe për Vitin e Ri 2016.

Porti i Durrësit ka disa tipare dalluese ndaj Porteve të tjera të vendit. Madhësia, buxheti dhe volumi i punës së kryer; forma “Autoritet Portual” e zgjedhur për menaxhimin e tij, si dhe struktura pronësore dhe e vendimmarrjes janë disa nga veçoritë e tij. Ky port, në zbatim të Masterplanit të vitit 2009, po i nënshtrohet një transformimi të thellë strukturor: shndrrimit nga Port Operimi e Shërbimesh drejt një Porti “zotërues e administrues territori”.

Duke folur për sfidat e ekipit që drejton prej 11 muajsh z. Shalsi tha se ato lidhen kryesisht me zbatimin e ligjit për Autoritetin Portual si dhe me marrëdhëniet me kompanitë konçesionare. Ai shtoi se bazuar në të dhënat e 11-mujorit, pritet një realizim të volumit të mallrave, prej afro 3.4 milion ton, rreth 9 përqind më i ulët se ai i vitit 2014, çka lidhet kryesisht me rënien e çmimit të mineraleve në bursë. 40 përqind të këtij volumi, sipas z. Shalsi, e ka përballuar Terminali i Kontejnerëve, 22 përqind Terminali i Trageteve dhe vetëm 15 përqind Terminali lindor. Të gjitha këto menaxhohen nga kompani konçesionare.

Autoriteti Portual ka punuar që, pa hequr dorë nga monitorimi i zbatimit të kontratave konçesionare të krijojë kushte normale për klientët dhe bizneset përdorues të portit. Në këtë kuptim, megjithë korespondencën voluminoze dhe takimet e shumta me drejtuesit e konçesionarit në Terminalin lindor tashmë problematikat po kërkojnë zgjidhje në Gjykatën e Durrësit. Sidoqoftë, Drejtoria ekzekutive është kujdesur të mos bllokojë veprimtarinë përpunuese në këtë Terminal, por i ka hapur rrugë zgjidhjeve alternative edhe në kalata të tjera.

Terminali perëndimor, i njohur si Terminali i Mallrave të përgjithshme, gjatë këtij viti ka mbajtur rreth 23 përqind të peshës së volumit të mallrave të përpunuara. Gjatë vitit 2016, ky Terminal, i cili vazhdon të menaxhohet nga Drejtoria e Autoritetit portual do të përballet përveç veprimtarisë së zakonshme, edhe me përpunimin e makinerive, materialeve dhe tubacioneve të Gazsjellësit TransAdriatik TAP. Kjo do të jetë një sprovë e mirë edhe për të ardhmen e këtij Terminali, dhënia me konçesion e të cilit bën pjesë në Strategjinë e parashikuar nga Masterplani i portit të Durrësit.

Treguesit financiarë të APD (të ardhurat, shpenzimet, fitimi, likuiditeti) për vitin 2015 gjithashtu rezultojnë të mira dhe mbi të gjitha të konsoliduara, pra japin siguri për të ardhmen. Të ardhurat janë realizuar në masën 96% në krahasim me ato të planifikuarat.

Gjatë 11-mujorit janë realizuar mbi 92 milion lek investime. “Plotësimi I rrjetit të ujësjellësit”, “Rehabilitimi I segmentit rrugor hyrja nr 2 – Terminali i trageteve”, etj. janë disa nga projektet e përfunduara. Ndërkaq është lidhur kontrata dhe pritet të nisë puna për projektin e Furnizimit dhe vendosjes së kalunave në kalatat 1, 2, 3 dhe 4.