Kreu i APD-së, Vengu, intervistë për televizionin Vizion Plus: Në 4 muajt e parë të 2020 janë përpunuar rreth 450 anije, me një volum 1.2 milionë tonë mallra 31 Maj 2020

Puna në Portin më të madh të vendit nuk është ndalur, pavarësisht masave kufizuese që solli pandemia. Kreu i institucionit në një intervistë pë Eko Zone thotë se i gjithë procesi i punës është zhvilluar nën masa shtrënguese dhe parandaluese për rreth 3 mijë persona që punojnë në port çdo ditë.


Z. Vengu u shpreh se: Porti i Durrësit ka më shumë se 3 muaj që jeton në kushtet e pandemisë, nën masa shtrënguese dhe parandaluese. Duhet të kuptojmë që edhe në kushte normale, madat parandaluese ndaj epidemive janë shumë të forta në sektorin detar, vetë fjala “karantinë” vjen nga sektori detar. Ekuipazhet e anijeve dhe stafi i portit, janë shumë të përgatitur në momentin e parandalimit të epidemisë. Kjo na ka ndihmuar që t’a vazhdojmë punën 24 orë në shtatë ditët e javës.

Në portin e Durrësit punojnë çdo ditë më shumë 3 mijë persona, ku 500 prej tyre janë i APD-së, por ne kemi përgjegjësi edhe për shëndetin e 2500 të tjerëve, të cilët janë; agjent doganor, agjent detar, shoferë kamionësh etj.
Falë bashkëpunimit me taskforcën e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Administratën Detare, kemi dyfishuar stafin mjekësor në port, kontrollet në pikat kufitare. Deri më sot nuk ka patur asnjë rast me COVID-19 në ambientet portuale.


Në 4 muajt e parë, ky port ka pritur rreth 450 anije, me një volum tregtar rreth 1.2 milionë tonë mallra. Kjo statistikisht është një trend thuajse njësoj, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2 viteve të fundit. Por ajo çfarë konstatohet është se importet e grurit kanë shënuar një rritje të ndjeshme, më shumë se 60% gjatë muajit prill.

Kemi një rritje të volumit të importit, konkretisht në mallra si; gruri, hekuri, çimento edhe xhamat, pra të të gjithë sektorit të ndërtimit kemi një rritje të importeve, çka tregon se ka edhe një konsistencë të investimeve infrastrukturore në vendin tonë- theksoi z.Vengu.

Partneri ynë, Italia është vendi që ka ndikuar negativisht më shumë në ecurinë e eksporteve, për shkak edhe të krizës që preku këtë shtet.
Z.Vengu u shpreh se është e vërtetë që ka një trend ulës të eksporteve, dhe kjo është konsistente gjithashtu me uljen e aktiviteteve ekonomike dhe përpunuese në vendet ku ne eksportojmë. Ekonomistët Europianë bien dakort që në këtë periudhë ka patur një ulje të aktivitetit me rreth 30%, në vendet si Italia apo si Franca. Kjo për pasojë ka edhe një impakt në kapacitetin tonë eksportues në këto tregje.

Sipas kreut të portit, tarifat që aplikohen nuk kanë ndryshuar prej 10 vitesh, por për të nxitur bizneset në sektorin e tregtisë, Z. Vengu njoftoi rishikimin e tarifave, ku përfitues do të jenë bizneset me volume të mëdha tregtare.

Po rishikojmë të gjitha tarifat portuale, në mënyrë që kur flasim për volume të mëdha përpunimi, qoftë në import apo në eksport, të kemi incentiva financiare dhe operatorët portualë të ndjehen të kuptuar në shqetësimet që mund të kenë për të depërtuar në tregje më të mëdha.
Ne po kërkojmë të krijojmë incentiva për ekonominë dhe eksportuesit.

Pas prishjes së kontratës me kompaninë turke “Kurum”, tashmë i gjithë shërbimi i përpunimit të konteinerëve kryhet nga shteti. Shërbim i cili ka nevojë për përmirësim për t’a bërë portin e Durrësit edhe më konkurues se ato të vendeve fqinje.

Intervista e plotë:

https://www.youtube.com/watch?v=eJEXne7l77Q