1227 turistë të huaj kanë mbërritur sot në orët e para të ditës në Durrës në bordin e kroçerës “Thomson Celebration”. Anija turistike, e cila vjen për herë të parë në qytetin bregdetar, u ankorua në kalatën 5 rreth orës 7.00 paradite. Autoriteti Portual dhe Forcat e Sigurisë Portuale kishin marrë të gjitha masat për mikpritjen e turistëve, organizimin e autobuzëve dhe për lehtësimin e kushteve të qëndrimit në portin më të madh të vendit.
Nga agjencia e lundrimit “Intermed Shiping” mësohet se vetëm 5 turistë vijnë nga Austria dhe Gjermania, ndërsa pjesa tjetër, 1222 turistë gjithsej janë nga Britania e Madhe.
9 autobuzë turistikë me udhëtarët e kroçerës u nisën drejt qyteteve historike të Krujës dhe Tiranës. Shumë prej tjerë kanë nisur vizitat në qendrat arkeologjike dhe muzeale të Durrësit. Kroçera “Thomson Celebration” me gjatësi 215 metra dhe tonazh të përgjithshëm 34 mijë ton ka flamur maltez. Ajo vjen nga Korcula (Kroaci) në kuadër të një turi adriatiko-jonian dhe do të vijojë lundrimin sot në mbrëmje drejt portit të Dubrovnikut (Kroaci
Pas kroçerave “Berlin” dhe “Princendam”, që mbërritën në Durrës në periudhën mars-prill të këtij viti, “Thomson Celebration” është anija e katërt turistike e këtij sezoni. Deri në muajin nëntor në portin e Durrësit pritet të mbërrijnë edhe 18 kroçera të tjera me turistë nga i gjithë globi.