Kroçera “Thomson Majesty” me 1511 turistë, nesër në portin e Durrësit

Nesër në mëngjes në portin e Durrësit do të ankorohet anija kroçerë “Thomson Majesty”, me të cilën udhëtojnë në një tur Adriatiko-Jonian një grup prej 1511 turistësh të huaj.

Kroçera, e cila vjen në Durrës për herë të tretë gjatë këtij sezoni, pritet rreth orës 7.00-7.30 dhe do të ankorohet në kalatën 5. APD ka marrë të gjitha masat për mikpritjen e turistëve që vijnë nga 16 vende të ndryshme.

Sipas të dhënave të agjencisë pritëse, pjesa më e madhe e tyre janë britanikë (1431), dhe shumë më pak të tjerët, nga Irlanda (38), Greqia (14), Islanda (12), Kanadaja, Zelanda e Re, Italia dhe SHBA (nga 2), si dhe Australia, Danimarka, Polonia, Hollanda, Gjermania, India, Pakistani (nga 1).

Gjatë qëndrimit 9-orësh në vendin tonë turistët kanë programuar të vizitojnë Durrësin, Krujën, Beratin dhe Tiranën.

Kroçera e ka nisur turin në Korfuz më 28 gusht dhe do ta përfundojë po aty më 4 shtator, ndërkohë që ka vizituar edhe Italinë (Ravenna dhe Venecia), Kroacinë (Rijeka e Dubrovnik).