Lundrimet e trageteve pa pasagjerë, por më shumë kamionë dhe mallra krahasuar me prillin 2020

Terminali i Trageteve vijon të jetë në funksion vetëm për transportin e mallrave deri në një vendim për rikthimin e transportit të pasagjerëve në rrugë detare. Dhe referuar të dhënave statistikore të punës së kryer në këtë terminal gjatë kësaj periudhe, bëhet e ditur se numri i kamionëve dhe trailerave, si dhe sasia e mallrave të përpunuar nga tragetet ka pësuar një rritje graduale nga muaji prill në maj 2020.

Rënia e shifrave ishte më e ndjeshme gjatë muajit prill, kur për shkak të pandemisë nga Covid-19, tragetet kryen vetëm 31 lundrime vajtje – ardhje nga/drejt Durrësit, bëhet e ditur nga Sektori i Statistikave në APD.

Gjatë muajit prill tragetet kanë transportuar 3,344 kamionë dhe trailerë me afro 44 mijë ton mallra, një shifër e ulët krahasuar me periudhat e punës normale në portin më të madh të vendit.

Ndërkaq shifrat e muajit maj dëshmojnë për një rritje të numrit të lundrimeve që arrijnë në 38 gjithsej, si dhe të kamionëve me mallra. Gjatë muajit që lamë pas, tragetet kanë transportuar 5,445 kamionë dhe trailerë me 69 mijë t mallra gjithsej, shifra më të larta se sa muaji paraardhës.