Në port mbërrijnë me anije 405 tuba çeliku për hidrocentralin e Moglicës

Në kalatën 5 të portit të Durrësit ka filluar përpunimi i anijes “Luca”, e cila ka sjellë 405 tuba çeliku, që shërbejnë për hidrocentralin e Moglicës.

Anija “Luca” ka nisur të përpunohet pasditen e së mërkurës dhe në dispozicion të proçesit janë vënë bashkë me skuadrat e kompanive stivadore edhe dy elektrovinça.

Sipas të dhënave të agjencisë pritëse, anija ka mbërritur nga Turqia e ngarkuar me tuba çeliku me gjatësi 12 ml dhe 6 ml, tuba të cilët kanë diametër 1.12 ml. Nga Qendra e Informacionit në APD mësohet se pas përfundimit të shkarkimit të tubave ato do të transportohen drejt destinaconit me kamionët e kompanisë ndërtuese. Hidrocentrali i Moglicës në rajonin e Korçës është H/C i dytë që ndërtohet në kaskadën e lumit Devoll, pas H/C të Banjës. Diga e tij ka një lartësi 160 metra dhe punimet kanë mbërritur në fazën përfundimtare.