Nesër paradite në portin e Durrësit pritet të ankorohet kroçera “Albatros” me 688 udhëtarë në bord, shumica e të cilëve nga Gjermania. Kjo është kroçera e fundit, e programuar të mbërrijë në portin më të madh të vendit për vitin 2016. Që nga 26 marsi i këtij viti, kur u ankorua kroçera e parë deri më 6 nëntor 2016, në portin më të madh të vendit janë ankoruar 23 kroçera të tjera dhe anije veliere, me një numër të përgjithshëm prej 13.416 turistë.
“Albatros” me një gjatësi prej 205 metra dhe me një personel prej 336 vetë në bord do të ankorohet në kalatën 5. Sot gjatë natës ajo do të lundrojë nga Dubrovniku (Kroaci) drejt Durrësit dhe pas një qëndrimi prej 10 orësh në port do të niset drejt Kotorrit (Mali I Zi). Gjatë periudhës 2-javore kroçera “Albatros” po kryen një tur lundrimi në 13 porte të Adriatikut dhe Jonit. Gjatë qëndrimit në vendin tonë turistët e kroçerës do të vizitojnë qytetet e Durrësit, Krujës, Beratit dhe Tiranës. Autoriteti Portual Durrës ka marrë të gjitha masat për mikpritjen dhe për lehtësimin e kushteve të qëndrimit në portin më të madh të vendit.