Në Terminalin Perëndimor të portit të Durrësit gjatë vitit 2014 janë përpunuar 279 anije tregtare me afro 810 mijë ton mallra të ndryshme gjithsej. Terminali Perëndimor i portit administrohet nga drejtoria ekzekutive e Autoritetit portual.
Nga të dhënat statistikore të APD, mësohet se gjatë vitit të kaluar në këtë Terminal që përfshin kalatat nga 1 – 5 janë përpunuar 236 anije me mallra importi dhe 43 të tjera janë ngarkuar me mallra të prodhuara në vendin tonë. Edhe raporti I vëllimit të mallrave të përpunuara është thuajse i njejtë. Gjatë vitit 2014 në këtë terminal janë përpunuar mbi 628 mijë ton mallra importi dhe 182 mijë ton mallra për eksport.
Numri më i madh i anijeve, 33 me afro 91 mijë ton mallra, është përpunuar gjatë muajit maj të vitit të kaluar, ndërsa në shkurt janë përpunuar vetëm 17 anije me 49 mijë ton mallra.
Nga të dhënat e Terminalit të Udhëtarëve mësohet se gjatë së njejtës periudhë tragetet e linjave detare nga Durrësi drejt Barit, Brindizit, Ankonës dhe Triestes (Itali) kanë transportuar një sasi të përgjithshme prej mbi 731 mijë ton mallra.
Këto ditë do të publikohen edhe të dhënat e vitit 2014 për Terminalin e Kontejnerëve dhe për për Terminalin Lindor të portit më të madh në vendin tonë.