Rritja e parametrave të sigurisë brenda hapësirës portuale, mbetet një ndër priritetet e Drejtorisë Ekzekutive të Autoritetit Portual Durrës.
Në këtë kuadër, investimi më i ri infrastrukturor që pritet të marrë jetë brenda muajit gusht të këtij viti, është Salla Operative Ndërinstitucionale, nëpërmjet së cilës synohet monitorim i shpejtë dhe efikas në të gjithë territorin e portit më të madh në vend.
Ky investim konsiston në integrimin e sistemeve të sigurisë në një platformë monitorimi të përbashkët me agjencitë ligjzbatuese.
E pajisur me kamera të reja inteligjente për monitorim, të cilat mundësojnë alerte automatike, e koordinuar me dhomën e re të serverave, që kanë kapacitet të rritur për bazën e të dhënave, me qëllim përdorimin nga agjencitë ligjzbatuese.
Brenda Sallës Operative, do të krijohet hapësirë pune ergonomike për operim të përbashkët me Policinë Kufitare, Doganën, Kapitenerinë dhe Sigurinë Portuale, duke respektuar distancën fizike dhe zbatim të protokolleve higjieno-sanitare.