Pas prezantimit të projektit inxhinerik të Portit të ri Tregtar në Porto-Romano, Durrës, më 1 shkurt, në Pallatin e Kongreseve, u zhvillua takimi informues me pjesëmarrjen e mbi 30 kompani vendase dhe të huaja lider në fushën e zhvillimit të infrastrukturës.
Në përputhje me standardet ndërkombëtare të fushës, ky takim konsultativ, për të gjithë komponentët inxhinierik, financiarë dhe juridik të projektit, i hap më tej rrugën çeljes së garës ndërkombëtare për Financimin dhe Ndërtimin e Portit të ri tregtar.
Zëvendëskryeministrja njëherësh dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë fjalës se saj pohoi se, “tashmë janë mbyllur të gjitha fazat e studimit të këtij projekti, analizat ekonomike dhe ndikimet sociale, mjedisore dhe arkeologjike sipas standardeve më të mira”.
“Strategjia portuale e qeverisë shqiptare ka në fokus tre pika kryesore: modernizimin e infrastrukturës në kompleksit portual në Porto Romano Durrës, që është një zonë industriale, e cila do të lidhet dhe me një hekurudhë prej 4 km dhe sipërfaqja në dispozicion arrin në 60 ha për një zhvillim ekonomik të pakufizuar. Së dyti synohet zhvillimi i logjistikës dhe transportit detar si një shtyllë kryesore e Ekonomisë Blu dhe së treti, pozicionimi i Shqipërisë si një vend strategjik në ndërlidhjen ekonomike dhe zinxhirët e furnizimit të EJL”, tha Balluku.
Balluku theksoi se Porti i Porto Romanos, nuk do t’i shërbejë vetëm Shqipërisë. Pasi tashmë, janë realizuar dy marrëveshje me Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, për ngritjen e dy porteve të thata respektivisht në Strugë dhe Prishtinë. Ndërsa po punojmë edhe me vendet e tjera, që ky port t’i shërbejë edhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Teksa vlerësoi rolin dhe ndikimin e madh të këtij investimi në ekonomi dhe gjeopolitikë, Balluku tha se, kompleksi i ri portual Durrës -Porto Romano dhe Porti i Jahteve (që është porti ekzistues që trasformohet në në një port modern të Marinës së Jahteve) do të japë një zhvillim multidimensioal.
“Ne parashikojmë një investim prej 390 milionë euro në këtë port, ku do të përfshihet një hapësirë nga 80 ha sot, në 450 ha në dispozicion të portit të ri”, tha Balluku.
Ajo theksoi se, në Porto Romano në Durrës, krahas portit të ri, do të ketë edhe një port ushtarak, i cili do të vihet në dispozicion të NATO-s, duke marrë edhe vlerë gjepolitike.
“Një projekt strategjik për vendin por edhe rajonin e Europës juglindore” – e konsideroi kreu i qeverisë Edi Rama, projektin për ndërtimin e portit tregtar në Porto Romano.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama theksoi se: “ Dua t’ju falenderoj sinqerisht për ardhjen deri këtu, për këtë prezantim ballafaques të natyrës tekniko-financiare, çka në këndvështrimin tim, tregon, jo vetëm interes, por edhe besim dhe dua t’ju siguroj që ne jemi shumë të vetëdijshëm qoftë për paragjykimet me të cilat duhet të përballemi, kur është fjala për të hapur ekonominë tonë dhe për të hapur dyert dhe dritaret në mënyrë që të gjithë ata që duan të përfshihen në zhvillimet tona ekonomike t’i gëzojnë këto mundësi, ashtu sikundër dua po ashtu t’ju siguroj se në provën e fakteve të gjithë ju do të mund ta shikoni në vetë të parë pse unë ato i quaj paragjykime dhe jo perceptime të bazuara në realitetin e përpjekjes sonë për të pasur procese transparente, për të pasur procese me integritet dhe për të pasur procese që në fund shpërblejnë pikërisht ato shtylla që i kanë bërë kompanitë tuaja të jenë kompani me kaq shumë zë, që janë nga njëra anë konkurrenca e lirë dhe nga ana tjetër merita mbi bazën e konkurrencës.
Natyrisht që për ne si vend, i gjithi ky është një proces i shtrirë në kohë. Ne vijmë nga një e shkuar që nuk ka qenë aspak bujare me ne dhe 3 dekada të rrugëtimit tonë në përpjekje për të ndërtuar një Shqipëri moderne, funksionale e demokratike dhe një ekonomi të hapur dhe konkurruese për të gjithë, mund të konsiderohen shumë, por mund të konsiderohen dhe shumë pak si rezultat i matjes së nivelit të eksperiencës.”
Projekti për portin e ri tregtar të Durrësit në Porto Romano është bërë nga studioja holandeze “Royal Haskoning DHV”, një ndër pesë kompanitë më prestigjioze të botës në fushën e projektimit të porteve, aeroporteve, infrastrukturës tokësore e nëntokësore, energjetike, minerare, industriale, si edhe zhvillimeve urbane e rurale.